Projekti

Deri më sot, migrimi ka pasur rol të rëndësishëm në zhvillimin social të Kosovës. Manifestohet në forma të ndryshme, të cilat dallojnë për kah motivet, mënyra dhe kohëzgjatja. Ekspozita trajton një formë të veçantë të migrimit, e cila ilustron se procesi i migrimit nuk përfundon me shpërnguljen e thjeshtë në një vend tjetër. Shpesh zhvillohet në faza të ndryshme, disa prej të cilave përfundojnë me kthimin në vendlindje. Ky kthim mund të jetë i përkohshëm, sezonal ose i përhershëm, por e përbashkëta e tyre është se ato bëjnë të mundur krijimin e lidhjeve dhe rrjeteve të llojeve të ndryshme midis vendlindjes dhe vendit emigrues. Kjo formë migrimi mund të përshkruhet me konceptin e translokalitetit, një model jete që po bëhet gjithnjë e më i përhapur – njerëzit që jetojnë në shumë vende në të njëjtën kohë, duke ruajtur lidhjet midis vendlindjes dhe vendit emigrues përmes komunikimit, transferimit të njohurive, informacionit, të mirave materiale dhe jomateriale.

Në rrjedhën e situatës së tensionuar politike dhe një margjinalizimi të përkeqësuar të popullsisë shqiptare gjatë shpërbërjes së Republikës Jugosllave, qindra mijëra njerëz kërkuan strehim dhe mbrojtje jashtë vendit. Në disa raste, kjo ikje shpesh do të zgjaste për dekada pa kthim. 

Gjatë kësaj vale të migrimit për shkak të konfliktit dhe luftës në fund të viteve ‘80 deri në fund të viteve ‘90, njerëzit që iknin gjetën strehim të përkoshëm kryesisht në vendet e OBZE-së, të rregulluar në formën e një leje qëndrimi si persona të përndjekur politikë. Ky status ligjor nuk parashihte kthim në vendlindje për sa kohë nuk i ishte dhënë zgjdihje dhe fund arsyes së ikjes. Për shumë refugjatë, kjo përfaqësonte një gjendje pritjeje dhe ngecjeje, sepse arsyeja e migrimit nuk ishte nga vetëdëshira– përkundrazi, ajo ishte e imponuar me dhunë nga jashtë.

Lokaliteti i perceptuar i këtij grupi migrues është pikënisja për një narrativë hapësinore-filozofike: lokalitet transcendent. Koncepti i transcendencës përshkruhet dhe përkufizohet në mënyra të ndryshme që nga filozofia e lashtë e deri në atë bashkëkohore. E përbashkët për të gjitha kuptimet është se transcendenca nënkupton procesin e kapërcimit të një kufiri që ndan dy sfera thelbësisht të ndryshme.

Për individët që jetonin në migrim, rrethana e moskthimit në vendlindje për një periudhë të pacaktuar përfaqësonte një cezurë të thellë në jetën e tyre. Nga njëra anë, individët e që migronin ishin fizikisht të pranishëm në vendet emigruese, duke menaxhuar në mënyrë sipërfaqësore jetën e tyre të përditshme dhe funksionimin në mjedisin e tyre të ri. Por nga ana tjetër, prania emocionale ishte një çështje tjetër: për shkak të konfliktit, vëmendjes dhe mendimeve që silleshin rreth vendlindjes së braktisur, frika dhe pasiguritë shpesh nuk i lejonin individët të arrinin në vendet e huaja. Ata ndodheshin në një gjendje të ndërmjetme midis të tashmes fizike dhe asaj të braktisur më parë. Në këtë gjendje, kufijtë midis qenies imanente në të tashmen dhe qenies transcendente në mendje mjegullohen – individi migrues e gjenë veten në një lokalitet transcendent.

Ky projekt hulumton ndikimin e lokalitetit transcendent në hapësirën imanente në periudhën afatshkurtër dhe afatgjatë: si ka ndikuar kthimi i migrantëve pas luftës në qytetet kosovare dhe si rrjetet sociale të migrimit, të cilat u zhvilluan në vendet emigruese, ndikojnë në hapësirën urbane në formën e urbanizmit translokal. Ai hap diskutime se si planifikimi urban mund t’i përgjigjet këtyre kushteve specifike në mënyrë që të krijojë qëndrueshmëri urbane dhe qytete të jetueshme.

Instalacioni shërben si një metaforë për idenë transcendente – paraqitjen fizike të një gjendjeje subjektive. Ai përbëhet nga një kornizë e jashtme dhe e brendshme prej alumini, në mes të së cilës ndodhet një kornizë e mëtejshme e bërë nga tuba neoni. Të gjitha këto shumëzohen horizontalisht.

Fragmente

Instalacioni është montuar në mënyrë modulare nga pjesë të veçanta. Në kuadër të projektit, kështu është i përbërë edhe lokaliteti transcendent. Fragmente të veçanta kujtimesh dhe tregimesh nga vendlindja plotësohen me përshtypje dhe përjetime të reja në vendet emigruese dhe ngulitin lokalitetin transcendent në të. Kujtimet dhe përshtypjet e reja nënkuptojnë se ky vend i nënshtrohet një dinamike të vazhdueshme dhe nuk arrin kurrë një gjendje përfundimtare.

Në mes

Nëpërmjet migrimit, pjesa qëndrore e jetës lihet pas dhe, me kalimin e kohës, ajo plotësohet nga një shtëpi e dytë në vendin emigrues – kjo mund të shihet si gjë e dobishme. Translokaliteti, megjithatë, forcon njëtrajtshëm gjendjen e të qenit në mes.

Kornizat e jashtme dhe të brendshme i trajtojnë këto motive si konstruksione të fiksuara, në të cilat ndjesia e të qenit në vërehet nga neoni.

Shumëzimi

Përballja dhe reflektimi subjektiv me vendndodhjen e vet transcendente dhe imanente në kontekstin e migrimit përsëritet dhe bëhet një bashkëudhëtar i vazhdueshëm.

Instalacioni si konstrukt fizik dhe si metaforë varet shumë nga këndvështrimi individual. Shikuar nga larg, fragmentet, shtresat dhe hapësirat në mes rezultojnë në një pamje koherente dhe, në mënyrë të kundërt, shkrihen në pjesët e tyre individuale duke rritur afërsinë – e ngjashme me lokalitetin transcendent, i cili shndërrohet në translokalitet dhe nuk i lë më njerëzit të largohen nga gjendja e ndërmjetme e afërsisë dhe distancës midis dy vendeve të të qenit në shtëpi.