Translokaliteti

Që nga vitet ‘90, ka ekzistuar një konsensus midis studiuesve se migrimi nuk është zhvillim linear në të cilin lëvizjet nga vendlindja në vendin emigrues mund të konsiderohen si veprime të përfunduara – përkundrazi, migrimi është një proces ciklik. Marrëdhëniet sociale të migrantëve në vendlindjen e tyre, të cilat mbahen në mënyra të ndryshme edhe në distanca të mëdha gjeografike – qoftë nëpërmjet udhëtimeve, komunikimit apo edhe mbështetjes financiare, përshkruajnë qendrën e këtij procesi, i cili quhet transnacionalizëm. Çështjet financiare, politike, madje edhe sociale janë të rregulluara në mënyrë ciklike dhe në hapësirë transnacionale. Prandaj, migrantët e shohin veten si pjesë të një komuniteti transnacional.    

Ndikimi hapësinor i rrjeteve sociale në vendin emigrues dhe vendlindje quhet translokalitet. Ai përshkruan aftësinë e njerëzve për të qenë të pranishëm në disa vende në të njëjtën kohë. Hapësira urbane rikonfigurohet vazhdimisht nga karakteri ciklik i migrimit dhe translokalitetit që lidhet me të dhe kështu karakterizohet nga dinamika dhe transformimet e vazhdueshme.   

Në Kosovë, në kontekstin e translokalitetit, diaspora e përbërë nga punëtorët migrantë, familjet e tyre, refugjatët që nuk janë kthyer dhe gjeneratat pasuese ka luajtur dhe luan një rol formues në shoqërinë kosovare. Vlerësohet se rreth 700 mijë persona të lindur në Kosovë jetojnë jashtë vendit.

Diaspora fillimisht i referohet një grupi njerëzish që u është dashur të largohen nga vendlindja e tyre në mënyrë të pavullnetshme dhe të jetojnë të shpërndarë nëpër disa rajone ose vende. Sot, termi interpretohet disi më butë dhe nënkupton grupe migrantësh që kanë emigruar për motive të ndryshme dhe vijnë nga i njëjti vend i origjinës. Këto grupe vazhdojnë të ndihen të lidhur me vendin e origjinës edhe pas shumë gjeneratave. Megjithatë, ata janë gjithashtu në gjendje të rregullojnë jetën e tyre jashtë vendit të tyre të origjinës dhe të krijojnë një lloj atdheu për veten e tyre në tokë të huaj.  Edhe diaspora shqiptare e Kosovës vazhdoi të ndihej e lidhur me komunitetin që gëzoi të njëjtin fat, që kishte dalë nga rrjetet sociale gjatë luftës. Menjëherë pas luftës, komuniteti i diasporës kontribuoi ndjeshëm në rindërtimin dhe mbështetjen e anëtarëve të familjes në Kosovë. Për më tepër, njëkohësisht me qendrën e jetës në vendin e huaj, diaspora krijoi një vend të përkohshëm kthimi në Kosovën e pasluftës. Kjo jetë në disa vende, translokaliteti, po shfaqet gjithnjë e më shumë në peizazhin urban të qyteteve kosovare dhe do të shtjellohet më hollësisht më poshtë në aspektin e urbanizmit translokal. Sa i përket migrimit të vazhdueshëm nga Kosova në Evropë, që njihet si “ikje e trurit”, emigrimit të punëtorëve me kualifikim të lartë, efektet e një tendence drejt rritjes së translokalitetit në hapësirën urbane në qytetet e Kosovës tani është subjekt i një diskutimi kontrovers.